Zirkzee këmbëngul të largohet nga Unitedi, i thotë ‘PO’ Romës

Zirkzee këmbëngul të largohet nga Unitedi, i thotë ‘PO’ Romës

Sulmuesi i Manchester United, Joshua Zirkzee, pritet të largohet nga “Old Traffordi” gjatë afatit kalimtar të janarit, pavarësisht insistimit të trajnerit Ruben Amorim që ai të qëndrojë në klub.

24-vjeçari ka pasur hapësira të kufizuara këtë sezon, duke nisur titullar vetëm në tri ndeshje të Premier League. Minutat e pakta në dispozicion duket se kanë ndikuar në vendimin e sulmuesit holandez për të kërkuar një ambient të ri, ku mund të ketë rol më të rëndësishëm.

Edhe pse Amorim ka shprehur dëshirën që Zirkzee të mbetet pjesë e skuadrës edhe pas janarit, sipas “La Gazzetta dello Sport”, lojtari është i vendosur për t’u larguar dhe tashmë i ka thënë “po” një oferte nga AS Roma.

Raporti shton se Zirkzee ka zhvilluar bisedime pozitive si me drejtorin sportiv të Romës, Ricky Massara, ashtu edhe me trajnerin Gian Piero Gasperini.

Ky i fundit i ka garantuar sulmuesit se ai do të përshtatet në mënyrë ideale në skemën e tij taktike 3-4-2-1, ku pritet të ketë rol kyç në repartin ofensiv.

Roma po kërkon përforcime në sulm për pjesën e dytë të sezonit dhe Zirkzee shihet si profili i duhur për të shtuar forcën dhe fleksibilitetin në fazën ofensive.

Tashmë, gjithçka varet nga negociatat mes klubeve dhe formula e mundshme e marrëveshjes, teksa afati kalimtar i janarit po afron.

Share This