Zëri i Veselit në përballjen e fundit në Hagë: E vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia

Zëri i Veselit në përballjen e fundit në Hagë: E vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia

Një datë, katër emra dhe një verdikt që po pritet me ankth në Kosovë. Më 16 shtator, pas vitesh përballje me drejtësinë në Hagë, Kadri Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, do të përballet me vendimin final të Gjykatës Speciale.

Por, para se të vijë ai moment, rikthehen në vëmendje fjalët e Veselit nga 18 shkurti, fjalë të thëna në sallën e gjyqit, por që sot, në prag të vendimit, tingëllojnë ndryshe, transmeton Klankosova.tv.

Me zërin e një njeriu që tha se nuk e kishte humbur besimin as në momentet më të errëta, Veseli kërkoi drejtësi, të vërtetën dhe paanshmëri, duke lënë pas një fjali që tashmë merr peshë të veçantë.

“Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. I kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe bota ta njeh të vërtetën. Edhe në momentet më të errëta, nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin”.

Më 16 shtator nuk do të jetë vetëm një datë në kalendar, do të jetë një ditë kur sytë e Kosovës do të drejtohen nga Haga, ndërsa një kapitull i gjatë gjyqësor do të arrijë në pikën e tij vendimtare. Dhe mes gjithë kësaj pritjeje, mbetet zëri i Veselit, i bindur se, në fund, drejtësia duhet të flasë më fort se çdo akuzë.

KOSOVA PO PRET!

Më poshtë, fjala përfundimtare e Kadri Veselit më 18 shkurt 2026:

Në fund të gjykimit tim po ju drejtohem për të theksuar një pikë të vetme, por të jashtëzakonshme prej rëndësie. Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. Kjo nuk është thjesht një detyrë ligjore; është kontributi i saj i madh dhe trashëgimia që do të mbetet prej kësaj gjykate.

Ky është edhe shkaku pse ju bashkova atyre mijëra grave dhe burrave që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës dhe pse i kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe që bota ta njohë të vërtetën për kombin tonë.

Edhe në momentet më të errëta nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërteta dhe liria do të triumfonin. Kam besuar gjithmonë se populli i Kosovës, si çdo popull tjetër në botë, kishte të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar në liri dhe me dinjitet. Kam besuar se vuajtjet do të merrnin fund dhe se drejtësia do të vinte, edhe nëse me vonesë.

Në të njëjtën kohë, kurrë nuk kam besuar se dhuna, urrejtja apo hakmarrja mund të jenë udhërrëfyes të ndershëm. Ato shkatërrojnë shpirtin e një populli, jo vetëm të viktimës. Urrejtja është vetëm një formë tjetër e robërisë. Liria nuk mund të arrihet përmes padrejtësisë. As paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim. Një kauzë e drejtë nuk mund të mbrohet me mjete të padrejta.

çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë. Veprimet e mia kanë qenë njerëzore dhe ligjore. Ndërgjegja ime është e pastër. Historia ime është transparente. Tani, çdokush mund ta shohë atë edhe në këtë proces gjyqësor.

Duke mbyllur fjalën time, i nderuar trup gjykues, me respekt për secilin në këtë sallë edhe jashtë saj, edhe pse mund të mos pajtohemi, dua të theksoj: ne të gjithë jemi qenie humane me prirje dhe mendime të ndikuara nga ata që na rrethojnë dhe nga ambienti ku jetojmë. Besimi im tek e vërteta dhe drejtësia mbetet i palëkundur, dhe dua të besoj fuqishëm se në vendimin tuaj do të mbizotërojë vetëm e vërteta, paanshmëria, drejtësia dhe ligji.

I nderuar trup gjykues, duke qenë se dje ka qenë dita e pavarësisë së shtetit tim, kam vetëm një përshëndetje në fund për gjithë qytetarët e vendit tim: urime pavarësia! Ta gëzoni, qytetarët e Republikës së Kosovës, lirinë. Zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë.

Në fund, kam dëshirë të bëj edhe një përshëndetje të veçantë për familjen e një miku tim dhe mbrojtësin, të cilin sot nuk e kemi mes nesh, Andrew Strong. Në të njëjtën kohë, dua të falënderoj edhe ekipin tim mbrojtës për profesionalizmin e tyre dhe sinqeritetin në mbrojtjen time.

Ju faleminderit të gjithëve.

Share This