
Zelensky: Zgjedhjet në Moldavi rrezikojnë Evropën, Rusia synon kontrollin dhe praninë ushtarake
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Evropa përballet me rreziqe serioze gjatë zgjedhjeve parlamentare në Moldavi, të cilat zhvillohen nesër, më 28 shtator.
Duke folur në një konferencë për mediat, Zelensky theksoi se Rusia po përpiqet të ndikojë dhe të marrë kontrollin e vendit, duke hapur rrugën për një prani ushtarake atje.
Këto deklarata vijnë në një kohë kur autoritetet moldave kanë akuzuar Moskën për ndërhyrje hibride, përfshirë sulme kibernetike dhe fushata dezinformimi, për të penguar integrimin e Moldavisë në Bashkimin Evropian.
“Besoj se Evropa përballet me rreziqe. Nuk mund të themi thjesht se këto zgjedhje janë çështje e brendshme e Moldavisë, sepse Moldova është një anëtare e ardhshme e BE-së dhe territori i saj kufizohet me vende evropiane. Rusët janë shumë të etur për të ndikuar në Moldavi. Gjithçka fillon me politikën – ne e kemi kaluar këtë vetë. Nëse sigurojnë partitë e tyre në parlament, hapi tjetër është qeveria e tyre, dhe më pas presidenti i tyre. Pas kësaj vjen prania ushtarake. Kjo është pikërisht drejtimi që po ndjek Rusia,” deklaroi Zelenski, sipas agjencisë ukrainase Ukrinform.
Zelensky nënvizoi se presidentja aktuale e Moldavisë, Maia Sandu, pro-evropiane, respekton sovranitetin e Ukrainës.
Megjithatë, një ndryshim i forcave politike në parlamentin moldav mund të çojë në një kthesë drejt politikave pro-ruse. Në këtë kontekst, ai përmendi Republikën e vetëshpallur të Transnistrias, një rajon separatist ku stacionohen mijëra trupa ruse.
“Nëse Transnistria dhe udhëheqësit e këtij territori janë të qetë sot, kjo është sepse na frikësohen – ata morën sinjale të qarta nga ne në fillim të luftës. Patëm disa të shtëna nga Transnistria, dhe ata morën një paralajmërim të fortë, prandaj mbeten të heshtur. Nga ana tjetër, Moldova ka aktualisht një presidente pro-evropiane. Por nëse politika e Moldavisë kthehet pro-ruse, ata që janë të heshtur tani mund të bëhen zëdhënës, sepse atje [në Transnistrië] janë stacionuar mijëra trupa ruse,” shtoi Zelenski.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës në Moldavi, një vend me 2.4 milionë banorë i vendosur mes Ukrainës dhe Rumanisë, po shihet si një betejë vendimtare mes rrugës pro-evropiane dhe ndikimit rus. Sondazhet tregojnë një garë të ngushtë mes partisë qeveritare pro-evropiane PAS (Partia e Veprimit dhe Solidaritetit) të Sandu-s dhe bllokut pro-rus Patrotik (BEP), si dhe partive populiste si Alternativa (BA) dhe Partia Jonë (PN), të cilat dyshohet se shërbejnë si kanale për ndikimin e Moskës. /rtsh/


