Zelensky thotë se situata afër Pokrovskut është “shumë e vështirë”
Presidenti ukrainas, Volomdymyr Zelensky, tha se situata përreth qytetit lindor të Pokrovskut tani është “shumë e vështirë”.
Ky qytet strategjik gjendet në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut.
Rusia së fundi ka bërë përparim drejt Pokrovskut dhe vazhdimisht njofton se merr nën kontroll fshatrat në afërsi të këtij qyteti.
“Pokrovsku dhe zonat e tjera në rajonin e Donjeckut janë shumë të vëshira: përpjekjet kyçe ruse dhe numri më i madh i forcave janë përqendruar atje”, tha Zelensky më 28 gusht, duke iu referuar informacioneve që i ka paraqitur shefi i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky.
Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës po ashtu tha se “situata më e rënduar është në sektorin e Pokrovskut”.
Në njoftimin e lëshuar mbrëmjen e 28 gushtit u tha se “luftime të ashpra” po zhvillohen në një sërë fshatrash afër qytetit të Pokrovskut.
Për shkak të avancimit të forcave ruse, shumë banorë të Pokrovskut janë evakuuar nga ky qytet strategjik. /rel