Zelensky nënshkruan tri pakte të sigurisë gjatë samitit të BE-së
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka nënshkruar marrëveshje të sigurisë me Bashkimin Evropian, Estoninë dhe Lituaninë gjatë nisjes së samitit dyditor të bllokut në Bruksel.
Marrëveshja e sigurisë me BE-në përforcon mbështetjen e bllokut për Kievin në nëntë fusha të politikës së sigurisë dhe mbrojtjes.
Në draftin e marrëveshjes, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë thuhet se BE-ja dënon luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe shprehet mbështetja për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës si dhe e drejta e Kievit për t’u mbrojtur nga agresioni rus.
Në draft thuhet po ashtu se BE-ja mbështet reformat e Ukrainës dhe rrugën drejt pranimit në bllok, duke shtuar se ndihma e BE-së për Ukrainën është pothuajse 100 miliardë euro, përfshirë 35 miliardë euro në mbështetje ushtarake.
“Rusia nuk duhet të triumfojë” në luftën kundër Ukrainës që e nisi në shkurt të vitit 2022, thuhet në draft, ku shtohet se Ukraina duhet të rimarrë territorin e aneksuar nga Moska. Po ashtu aty listohen një sërë zotimesh për dhënien e pajisjeve ushtarake, për ofrimin e trajnimeve ushtarake dhe bashkëpunimin mes industrisë së mbrojtjes të Ukrainës dhe BE-së.