
Zelensky falënderon SHBA-të në ditën e pavarësisë: Kontribut i çmuar për të përballuar agresionin rus
Presidenti Volodymyr Zelensky uroi Shtetet e Bashkuara për Ditën e Pavarësisë dhe theksoi se Ukraina e vlerëson shumë mbështetjen e SHBA-së, veçanërisht gjatë luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.
“Sot shënohet 250-vjetori i njërit prej ëndrrave më të ndritshme, më të forta dhe më me ndikim të njerëzimit – Ëndrra Amerikane e një kombi të pavarur, të lirë dhe të begatë, që mbron lirinë e njerëzve, besimin dhe ndjekjen e lumturisë”, shkroi Zelensky.
Sipas tij, kjo ëndërr ka kaluar nëpër shumë prova dhe jo vetëm që ka rezistuar, por për dy shekuj e gjysmë ka shërbyer si shembull për kombet e tjera dhe ka ndihmuar të gjithë njerëzimin të rezistojë dhe të bëhet më i lirë.
“Tani, në shekullin e 21-të, ndikimi dhe rëndësia e Amerikës sigurisht që nuk është më i vogël. Dhe këtë e shohim veçanërisht qartë në Ukrainë, e cila po lufton për pavarësinë e saj, për lirinë dhe të drejtën e popullit tonë për lumturi, me të njëjtën shpresë, të njëjtin qëllim dhe të njëjtën vendosmëri me të cilën amerikanët fituan dhe mbrojtën pavarësinë e tyre”, theksoi Zelensky.
Ai nënvizoi se Ukraina e vlerëson shumë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, sidomos tani, gjatë luftës në shkallë të plotë të Rusisë kundër Ukrainës.
“Armët amerikane – nga Javelinët që Presidenti Trump vendosi t’ia japë Ukrainës, te Patriotët që më së miri mbrojnë jetët e njerëzve tanë – gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë dhënë për të na ndihmuar të mbrojmë vendin tonë, tregon forcën e shpirtit amerikan, vendosmërinë amerikane dhe teknologjinë amerikane. Dhe ne e dimë vlerën e të gjitha këtyre fjalëve më mirë se kushdo tjetër.
Kur i kërkojmë Amerikës sistemet Patriot, besojmë se vlerat e respektit për jetën dhe për njerëzit që mbizotëruan 250 vjet më parë, do të mbizotërojnë edhe sot. Bota ka nevojë për atë lloj udhëheqjeje që garanton mbrojtje për lirinë dhe për jetën”, tha Zelensky. /rtsh/

