Zelensky akuza Rusisë: Po i jep informacione dhe imazhe satelitore Iranit

Zelensky akuza Rusisë: Po i jep informacione dhe imazhe satelitore Iranit

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë se po i jep Iranit informacione dhe imazhe satelitore për objektivat e sulmeve gjatë fushatës amerikano-izraelite kundër Teheranit.

“Ne e dimë se Rusia ka bërë imazhe me anë të satelitëve dhe i ndan këto informacione me regjimin iranian”, është shprehur presidenti ukrainas për mediat izraelite.

Sipas Zelenskyt, bashkëpunimi midis Rusisë dhe Iranit ka filluar që nga fillimi i luftës në Ukrainë.

Ai theksoi se rusët po ndihmojnë Iranin sepse kanë interes të zgjasin konfliktin sa më shumë që të jetë e mundur, duke shpërqendruar vëmendjen dhe burimet e Perëndimit.

Gjithashtu, Zelensky foli edhe për marrëdhëniet me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Ai konfirmoi se gjatë dy viteve të fundit ka pasur shumë pak kontakte me Netanyahun, pasi ky i fundit përpiqet të balancojë marrëdhëniet me Moskën dhe Kievin.

Takimi i tyre i fundit ishte në tetor 2023, në mjediset e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, dhe që atëherë kanë folur vetëm në telefon.

Kur u pyet për mesazhin që do t’i dërgonte Netanyahu-s, Zelensky u përgjigj  se “ne kemi atë që i nevojitet atij, ai ka atë që na nevojitet neve… Jemi gati për këtë dialog.”

Ndërkohë, Zelensky ka dërguar personel ushtarak ukrainas në Jordani, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për të ndihmuar në interceptimin e dronëve iranianë, duke u bazuar në përvojën e gjatë të Ukrainës kundër dronëve ruse të prodhuar nga Irani (Shahed).

Megjithatë, Izraeli ende nuk ka kërkuar ndihmë të drejtpërdrejtë nga Ukraina. /rtsh/

Share This