Zelenksy: Situata në frontin lindor të Ukrainës e vështirë
Forcat e armatosura ukrainase janë nën presion të madh nga sulmet ruse në lindje të vendit, tha presidenti Volodymyr Zelensky në fjalimin e tij me video drejtuar kombit.
”Situata rreth Pokrovskit, në rajonin e Donetskut, në veçanti është analizuar tërësisht nga udhëheqja ushtarake”, tha Zelensky.
“Kjo zonë ishte dhe vazhdon të jetë fokusi i sulmeve ruse”, shtoi ai.
”Gjithçka duhet bërë për të forcuar pozicionet e mbrojtjes së Ukrainës në rajon”, shtoi Zelensky.
Udhëheqësi ukrainas shprehu “vlerësim të veçantë” për të gjitha njësitë që sulmuan bazat dhe logjistikën ruse në territoret e pushtuara, pa përmendur ndonjë njësi specifike.
“Pushtuesi duhet të ndjejë se kjo është tokë ukrainase”, tha Zelensky.
Duke cituar burime ushtarake në Kiev, mediet ukrainase kishin raportuar më parë një sulm me raketa në një aeroport ushtarak në Krime, gadishulli i Detit të Zi i aneksuar nga Rusia në vitin 2014.
Fillimisht nuk u dhanë detaje për ndikimin e sulmit.
Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar mbi sulmin. /atsh