
Ylli shkëlqen në ‘Karagaçi’, barazon serinë me Pejën
Golden Eagle Ylli ka barazuar në 1:1 serinë çerekfinale të “play off” të Superligës së Kosovës në basketboll, pas një fitore në udhëtim ndaj Pejës.
Suharekasit kanë triumfuar të dielën në palestrën “Karagaçi” me rezultat 75:66, duke e çuar serinë në ndeshjen vendimtare që do të zhvillohet të enjten, në një qytet që ende nuk është përcaktuar.
Ylli e ka nisur më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë me 19:18, por shkëputjen vendimtare e ka bërë në periudhën e dytë, të cilën e ka fituar 19:9, për të shkuar në pushim me epërsi 38:27.
Peja ka reaguar në çerekun e tretë, duke fituar atë pjesë 20:17 dhe duke ngushtuar rezultatin në 52:47, por Ylli e ka ruajtur qetësinë dhe e ka përfunduar çerekun me 55:47.
Në dhjetë minutat e fundit, Peja është afruar në 73:66, por përvoja e lojtarëve të Yllit ka bërë që fitorja të mos vihej në dyshim.
Jalen Nesbitt ka qenë ndër më të dalluarit te Ylli me 14 pikë dhe 11 kërcime, ndërsa Jan Palokaj ka kontribuuar me 20 pikë dhe 4 asistime. Derrick Wilson ka dhënë gjithashtu një paraqitje të fortë me 13 pikë, 6 asistime dhe 5 topa të rrëmbyer.
Te Peja, më efikasi ka qenë Amin Hot me 22 pikë dhe 6 kërcime, ndërsa Darryl Morsell ka realizuar 16 pikë, 4 kërcime dhe 3 asistime. Tulio Da Silva ka kontribuua me 12 kërcime, por ka shënuar vetëm 5 pikë.
Fituesi i kësaj serie do të përballet në gjysmëfinale me Bashkimin. Në çerekfinalen tjetër, Sigal Prishtina dhe Vëllaznimi janë gjithashtu të baras 1:1, pas dy përballjeve të para.