
Xhaka i motivuar para derbit: Duam t’u japim tifozëve diçka madhështore
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, ka dhënë një deklaratë të fortë para ndeshjes së rëndësishme ndaj Newcastle Unitedit, që zhvillohet këtë të diel në orën 15:00, në kuadër të xhiros së 16-të të Premier League.
Xhaka ka theksuar se vlerëson maksimalisht këtë përballje dhe se po motivon vazhdimisht bashkëlojtarët, me qëllim që skuadra të reagojë pas humbjes 3:0 ndaj Manchester Cityt në fundjavën e kaluar.
“Kam pasur shumë kundërshtarë gjatë karrierës time, por mendoj se Newcastle do të jetë më i madhi. Duhet të mos dorëzohemi dhe t’u japim tifozëve diçka madhështore. Synimi ynë është ta fitojmë ndeshjen”, ka deklaruar Xhaka.
Sunderland aktualisht ka 23 pikë, një më shumë se Newcastle, dhe një fitore në derbi do ta forconte pozicionin e skuadrës në mesin e tabelës, për më tepër ndaj një rivali direkt.
Atmosfera në klub është e ngrohtë, ndërsa kapiteni zviceran me origjinë shqiptare po shihet si lideri kryesor emocional dhe sportiv përpara një ndeshjeje që gjithmonë sjell spektakël në futbollin anglez.


