Xhaka e Shaqiri, me bashkëlojtarë, i siguruan miliona euro kombëtares së Zvicrës
UEFA shpërblen të gjitha ekipet përfaqësuese që marrin pjesë në Euro 2024.
Në fakt, të hyrat e UEFA-s nga Evropiani janë qindra milionëshe, ndërsa Konfederata Evropiane një pjesë të këtyre parave e ndan për federatat nacionale të vendeve pjesëmarrëse, e një pjesë për klubet që kanë lojtarë në Evropian, përcjell albinfo.ch.
Për shembull, Zvicra me arritje në çerekfinale ka siguruar të hyra nga UEFA prej 15.25 milionë eurosh, ka shkruar Blick të martën.
Një pjesë e këtyre parave shkon për lojtarët e Zvicrës, në formë të bonuseve. Mbi 250 mijë euro pritet të jetë bonusi për secilin lojtar.
Një pjesë e konsiderueshme e parave i mbetet federatës dhe ligës zvicerane.
Edhe të hyrat e FSHF-së ishin goxha të mira.
Secila federatë pjesëmarrëse në Euro 2024 ka pasur të garantuar të hyra prej 9.25 milionë euro. Për fitore në fazën grupore, UEFA ka ndarë 1 milion euro, ndërsa për barazim 500 mijë euro.
Shqipëria kishte një barazim, kështu që të hyrat e FSHF-së ishin 9,75 milionë euro.
Për kalim në 1/8 e finales janë ndarë edhe 1,5 milionë të tjera, ndërsa për çerekfinale edhe 2,5 milionë. 4 milionë shtesë i pranojnë federatat e përfaqësueseve që janë kualifikuar në gjysmëfinale. 5 milionë plus i merr federata e përfaqësueses që humb finalen, ndërsa edhe 8 milionë të tjerë kampionia e Evropës.