Wisner s’përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje për konfliktin me Serbinë

Wisner s’përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje për konfliktin me Serbinë

Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, ka komentuar zgjedhjet e 5 nëntorit në ShBA, ku është deklaruar edhe me ndikimin që mund të kenë në Kosovë këto zgjedhje.

Ai tha se problemi më i madh i Kosovës është mosmarrëveshja me Serbinë, e cila vazhdon të mos ia njohë pavarësinë, edhe gati 17 vjet pas shpalljes.

“Unë supozoj se administrata e Harrisit do të ndiqte synime më pak ambicioze. Ajo do të bënte përpjekje t’i ulte Kosovën e Serbinë në një tryezë, bashkë me evropianët, por do të synonte përparime më të vogla – në ekonomi, tregti, kulturë, lëvizje njerëzish… Pra, në gjëra që fillojnë ta ulin temperaturën mes dy vendeve”, thotë Wisner.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.

Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Por, plani nuk ka shkuar përpara pasi presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i është dorëzuar Gjykatës Speciale në Hagë si i dyshuar për krime lufte.

Wisner argumenton se forcat amerikane përmbushin një rol të dyfishtë në Kosovë, duke vepruar jo vetëm si mbrojtëse, por edhe si simbol i angazhimit të SHBA-së.

“Nuk është mirë të mendosh se çështjet e kësaj natyre zgjasin përgjithmonë. Por, duke pasur parasysh gjendjen e pazgjidhur të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shpresoj se trupat amerikane do të vazhdojnë të jenë pjesë e regjimit të sigurisë, në të cilin jeton Kosova”, thotë Wisner.

Share This