
West Ham i bën favor Arsenalit, ndal Man City-n
West Ham United arriti një barazim të rëndësishëm 1-1 ndaj Manchester City në Premier League, duke ndërprerë një seri prej shtatë humbjesh radhazi në përballjet direkte dhe duke goditur ambiciet e “qytetarëve” për titull.
Skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola, i cili këtë ndeshje e ndoqi nga tribuna për shkak të pezullimit – dominoi në posedim që nga fillimi, por hasi në një mbrojtje të organizuar të vendasve.
Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 31-të, kur Bernardo Silva pranoi një pasim nga Omar Marmoush dhe realizoi me një parabolë të bukur mbi portierin Mads Hermansen për t’i dhënë epërsinë Manchester Cityt.
Megjithatë, reagimi i West Ham ishte i menjëhershëm. Vetëm katër minuta më vonë, mbrojtësi grek Konstantinos Mavropanos u ngrit më lart se të gjithë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Jarrod Bowen dhe barazoi me kokë, me topin që preku traversën para se të përfundonte në rrjetë.
Në pjesën e dytë, City rriti presionin dhe krijoi disa raste të mira me Erling Haaland, Jérémy Doku dhe Tijjani Reijnders, por portieri Hermansen dhe mbrojtja e West Ham qëndruan të pathyeshëm. Në veçanti, Mavropanos pati një paraqitje të shkëlqyer duke bllokuar disa goditje të rrezikshme në momentet vendimtare.
Në fund, ndeshja përfundoi 1-1, rezultat që dëmton seriozisht garën për titull të Manchester Cityt, i cili tani ndodhet nëntë pikë pas liderit Arsenal, edhe pse ka një ndeshje më pak.
Nga ana tjetër, kjo pikë është shumë e vlefshme për West Ham United, që vazhdon luftën për mbijetesë dhe ka humbur vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.


