Vushtrria-Rahoveci, hap ndeshjet e fundjavës

Vushtrria-Rahoveci, hap ndeshjet e fundjavës

Dueli Vushtrria – Rahoveci, sfidë kjo që luhet sonte, hap ndeshjet e javës së 16-të në elitën e hendbollit tonë në konkurrencën e meshkujve.

Rahoveci ka fituar 15 ndeshjet e deritashme dhe udhëton për dy pikë të reja. Por vendasit do të bëjnë përpjekje maksimale për të shkaktuar befasi. Rahoveci kryeson tabelën me 30 pikë, derisa Vushtrria renditet e gjashta me 8 pikë.

Tri ndeshje tjera të xhiros së 16-të luhen të shtunën.

Nga ora 17:00 është takimi Trepça – Vjosa. Edhe kjo ndeshje zhvillohet në Samadrexhë, pasi palestra në Mitrovicë, ashtu si ajo në Vushtrri, shërben për procesin zgjedhor.

Trepça në xhiron e kaluar mposhti Vushtrrinë dhe synon dy pikë të tjera. Ndërkohë Vjosa shpreson për pikë që do t’i shërbenin për stabilizim në mesin e tabelës. Trepça është e fundit me 2 pikë, kurse Vjosa e shtata me tetë.

Rivalitet të madh shpresohet të ketë në ndeshjen Prishtina – Besa Famgas, që zhvillohet të shtunën nga ora 18:00 në Pallatin e Rinisë në kryeqytet. Besa është e dyta me 22 pikë, ndërsa Prishtina e katërta me 17 pikë.

Ndeshja mes Kastriotit dhe Llapit e cila zhvillohet në Shtime mbyll takimet e kësaj xhiro.

Share This