
Vuçiq në Moskë për paradën, reagon Presidenca e Kosovës
Derisa Aleksandër Vuçiq si president i Serbisë orë më parë ka arritur në Moskë, aty ku do të jetë pjesëmarrës në paradën ushtarake, reagim ka ardhur nga Presidenca e Kosovës.
Vizita e ish- ministrit të Millosheviqit në Moskë, sipas zyrës presidenciale, konfirmon jo vetëm afërsinë ideologjike të tij me një regjim autokratik e agresor si ai i Putinit, por edhe orientimin e Serbisë kundër vlerave dhe parimeve euro-atlantike.
“Po ashtu është tregues se Vuçiqi, do të vazhdojë veprimet destabilizuese kundër rajonit tonë, me bekimin e Moskës. Kjo vizitë le të shërbejë si një kambanë alarmi edhe për të gjithë ata përfaqësues evropian, të cilët mbështesin pakusht Vuçiqin me shpresën se ai do të kthehet kah perëndimi”, ka thënë për RTKlive, këshilltari për media i presidentes Osmani,Bekim Kupina.
Sipas tij, Vuçiqi në Moskë e në shërbim të plotë të Putinit është edhe rezultat i politikave akomoduese, të cilat i përdorin shumë politikanë perëndimor ndaj tij, duke injoruar veprimet e tij destabilizuese ndaj fqinjëve, të cilat i ngjajnë atyre të viteve të 90-ta.
Parada ushtarake në Moskë do të mbahet më 9 maj.