Vuçiq: KFOR-i të mos lejojë hapjen e urës mbi Ibër
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se pret që autoritetet e Kosovës më 14 ose 15 gusht të bëjnë sipas tij ‘hapjen e dhunshme të urës kryesore mbi lumin Ibër”, si dhe “instalimin e liderëve të rinj serbë, që do të punonin për interesa të huaja”.
Deklaratat e tilla, Vuçiq i bëri në paraqitjen e tij para kombit, pas protestave masive që ndodhën të shtunën në kryeqytetin serb kundër eksploatimit të litiumit në Serbi.
“Më 14 e 15 gusht presim hapjen e dhunshme të urës mbi Ibër”, tha Vuçiq.
Ai i ka bërë thirrje KFOR-it që të reagojë dhe të mos lejojë hapjen e urës në mënyrë të njëanshme. “Ne kemi respekt për KFOR-in dhe besojmë se do të bëjë punën e tij”, tha ai.
Tutje Vuçiq, i njohur për deklarata propaganduese dhe të paqëndrueshme, ka thënë se “në kuadër të planifikimit të hapjes së dhunshme të urës”, pret që agjencitë e huaja do të mundohen të imponojnë disa liderë të rinj serbë.
“Ata në fakt do të mundohen t’i ndajnë nga Beogradi dhe të thonë se Beogradi më nuk iu intereson dhe më pas të merren vesh me Kurtin se si dhe në çfarë mënyre do të jenë shërbëtorë të tij, ndërsa në fakt do të punojnë për interesa të huaja”, tha Vuçiq, duke këmbëngulur se di çka e tillë “nuk do t’iu funksionojë”.
Kosova dhe Serbia janë pajtuar qysh në vitin 2015 në Bruksel për hapjen e urës, por ky proces është zvarritur vazhdimisht.
Edhe tani kur Qeveria e Kosovës është duke i bërë të gjitha përgatitjet për hapjen e urës, Bashkimi Evropian ka shprehur kundërshtimin e tij.
Nga BE-ja dhe shtetet e QUINT-it kanë kërkuar nga autoritetet kosovare të mos marrin hapa të njëanshëm dhe këtë çështje ta zgjidhin në kuadër të dialogut.