Vuçiq falënderon Putinin për gazin, përsërit se s`ka sanksione për Rusinë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të dielën se ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe se e ka falënderuar atë “që më siguroi se Rusia do t’i japë mjaftueshëm gaz Serbisë këtë dimër”.
Serbinë e zuri pushtimi rus i Ukrainës të varur plotësisht nga gazi rus.
Ndërkohë, duke ndjekur shembullin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian (BE), edhe Serbia ka filluar të punojë në gjetjen e burimeve të tjera të furnizimit me gaz.
Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja, klubi të cilit synon t’i bashkohet, Serbia nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.
Vuçiq njoftoi në profilin e tij në Instagram të dielën se nuk kishte biseduar me Putinin për gati dy vjet e gjysmë dhe se më 20 tetor kanë pasur një “bisedë të mirë, të hapur, të gjatë dhe kuptimplotë”.
“Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.
Ai tha në një video në Instagram se me Putinin bisedoi edhe për çështje dypalëshe, ekonomike dhe politike.
Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.
Ndërkohë, biseda mes tyre u zhvillua derisa Rusia po pret përgjigje zyrtare nga Serbia për ftesën Putinit në shtator që Vuçiqi të marrë pjesë në samitin e BRICS në Kazan, i planifikuar të mbahet nga 22 deri më 24 tetor.