Von der Leyen: Shkëmbimi i të burgosurve, moment gëzimi i madh
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e ka quajtur shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe shteteve perëndimore “një moment gëzimi të madh”.
“Unë mirëpres lirimin e qytetarëve të pafajshëm nga BE-ja dhe SHBA-ja dhe demokratët e drejtë rusë të mbajtur robër në Rusi”, tha Von der Leyen në një postim në platformën X.
“Kremlini i ndërroi ata me kriminelë të dënuar dhe vrasës. Kjo tregon dallimin e madh. Ky është një moment gëzimi i madh – për të gjithë ata që kanë luftuar për lirinë e tyre”, shtoi ajo.
Rusia, Bjellorusia dhe disa vende perëndimore shkëmbyen gjithsej 26 të burgosur në aeroportin e Ankarasë – në një operacion të paprecedentë që përfshin Organizatën Kombëtare të Inteligjencës së Turqisë (MIT).
Në këmbim të lirimit të të burgosurve politikë dhe kritikëve të Kremlinit, Gjermania, SHBA-ja dhe vendet partnere liruan aktorë nga Rusia të dyshuar për spiunazh, përveç një personi që po vuante një dënim të përjetshëm në Gjermani – për vrasjen e një çeçeni të mërguar në mes të ditës – në një park qendror në Berlin në vitin 2019. /atsh