Vojvoda: Përkrahja e tifozëve në Bazel na jep forcë për fitore

Vojvoda: Përkrahja e tifozëve në Bazel na jep forcë për fitore

Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda, ka theksuar rëndësinë e tifozëve në ndeshjen e parë kualifikuese për Kupën e Botës 2026, që “Dardanët” do ta zhvillojnë kundër Zvicrës në Bazel.

“Atmosfera është shumë e mirë. E dimë se na presin dy ndeshje të vështira. Në Zvicër është gjithmonë e vështirë të luash, por do ta kemi përkrahjen e madhe të bashkatdhetarëve. Të gjithë jemi të përgatitur dhe stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Qëllimi ynë është të marrim gjashtë pikë nga këto dy ndeshje, megjithëse nuk do të jetë e lehtë, sepse favoritët janë ata. Por ndonjëherë kjo është më mirë, sepse presioni bie mbi ta, jo mbi ne”, ka thënë Vojvoda.

Ai ka shtuar se ekipi është i vendosur të synojë fitore si në transfertën kundër Zvicrës, ashtu edhe në ndeshjen e radhës në Prishtinë kundër Suedisë.

Kosova do të udhëtojë nesër paradite drejt Bazelit, ku do të zhvillojë edhe një stërvitje para përballjes së 5 shtatorit në stadiumin “St. Jakob-Park”. Para nisjes, Dardanët kanë kryer seancën e fundit stërvitore në Kampin Nacional në Hajvali.

Share This