Vizitë të papritur “Djajve të Kuq”, Robin van Persie gati të hedhë hapin e radhës në karrierë
Robin van Persi bëri një vizitë surprizë te Manchester United, klub ku ka kaluar një etapë shumë të rëndësishme të karrierës së tij si futbollist.
Ish-sulmuesi holandez është ftuar në qendrën sportive të “Djajve të Kuq” për të përfunduar procesin e tij stërvitor për të marrë licencën e trajnerit UEFA A.
Kjo është një pjesë e detyrueshme e kursit të tij, “praktika” në fushë, të cilën RVP preferoi ta kryente një vend që e njeh shumë mirë, me ndihmën e bashkatdhetarit të tij, Erik ten Hag.
Holandezi fluturues ishte një nga sulmuesit më të mirë të brezit të tij. I rritur te skuadra e Feyenoordit, ku edhe përfundoi karrierën e tij, ai veshi fanellat e Manchester United dhe Arsenalit në Premier League, ku luajti 383 ndeshje, duke regjistruar 190 gola dhe mbi 70 asistime.
Sipas informacioneve të raportuara nga “The Athletic”, Van Persie do të qëndrojë në Carrington për disa ditë dhe do të studiojë seancat stërvitore të ekipit, si dhe do të marrë pjesë në disa mësime teorike me trajnerin Ten Hag. Të dy do të bashkëpunojnë ngushtë.