
Vetëvendosje e nis e vetme seancën për “diskutim” për Presidentin, s’marrin pjesë as PDK, as LDK, as AAK
Deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtarë të kabinetit qeveritar, përfshirë kryeministrin Albin Kurti, janë mbledhur të vetëm në sallën kryesore të Kuvendit për “diskutim” për Presidentin.
PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë seancë të jashtëzakonshme, të papritur, të thirrur jo për zgjedhjen e Presidentit, por për të diskutuar lidhur me çështjen e Presidentit.
LVV-ja ka kërkuar nga PDK-ja dhe LDK-ja tre emra për President, si propozim “konkret dhe përbashkues” për zgjidhjen e kësaj çështjeje që po rrezikon ta çojë vendin sërish në zgjedhje.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ia paraqiti në fundjavë Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit dhe i kërkoi kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë.
Kurti nuk është deklaruar ende për këtë, ndërsa jemi në fund të afatit për zgjedhjen e Presidentit, raporton GE.
Nëse nuk zgjidhet Presidenti i ri, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.


