Vdes një fëmijë njëvjeçar në QKUK
Një fëmijë njëvjeçar ka humbur jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka theksuar se fëmija është sjellë në QKUK nga Spitali i Gjakovës në gjendje të rënduar.
“Sipas informacioneve nga Spitali i Gjakovës, fëmiu i moshës rreth 1 vjeç, është sjell nga prindërit, rreth orës 21:00, në kujdestarinë e mbrëmshme, në Repartin e Pediatrisë, me gjendje shumë të rënduar shëndetësore”, thuhet në sqarimin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar.
Në sqarim theksohet se menjëherë janë marrë masat e nevojshme nga ekipi kujdestar, duke parë edhe gjendjen e rënduar të fëmiut, ku pas vendosjes së terapisë, në ora 21:40 është nisur për trajtim të mëtejshëm në QKUK, si rast emergjent.
“Sipas raportit të Klinikës Infektive, fëmija, me autoambulancë është sjell në ora 22:50 në Klinikën Infektive, me gjendje shumë të rënduar, me diagnozë sepsis meningococica (infeksion i rëndë që kishte përfshirë krejt sipërfaqen trupore)”, thuhet në sqarim.
Theksohet se nga mjekët kujdestar fëmija menjëherë i ofrohet gjithë kujdesi i nevojshëm mjekësor dhe dërgohet në Repart për reagim të shpejtë, pa humbur kohë me procedura administrative në pranim.
“Fëmija vendoset në oksigjeno-terapi, bazuar në protokollet mjekësore. Përkundër masave reanimatore, gjendja e fëmijës vazhdimisht rëndohej edhe me rënie parametrave vital, ku në ora 23:40 përkundër kujdesit të vazhdueshëm, fëmija vdes. Fëmija i është ofruar gjithë kujdesi i duhur dhe i nevojshëm si në Spitalin e Gjakovës, ashtu edhe në QKUK, por për shkak të gjendjes së rënduar nuk ka arritur të mbijetonte”, theksohet ne sqarim.