Vdekja e punëtorit në Zubin Potok, ndalohet një person

Vdekja e punëtorit në Zubin Potok, ndalohet një person

Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin tragjik që ka ndodhur sot në Zubin Potok, me ç’rast një person ka humbur jetën derisa ishte duke punuar në ndërtimin e objektit të stacionit policor.

Në një njoftim për media, policia ka thënë se e ka ndaluar për 48 orë, një person me inicialet B.B, derisa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Forcat e rendit kanë njoftuar se rasti ka ndodhur rreth orës 10:00 të ditës së sotme, ku pas Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok ka informuar se një person ishte sjellë me lëndime te rënda trupore.

“Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se personi, (punëtor i një kompanie private), ishte lënduar derisa ishte duke kryer punime në ndërtimin e stacionit të ri policor në Zubin Potok. Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, stafi mjekësor emergjent e ka dërguar personin për trajtim në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Veri, ku rreth orës 11:00, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, inspektorët komunalë, si dhe inspektorët e punës.

“Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, është kontaktuar Prokurori  i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.”, thuhet në njoftim, raporton KK.

Policia ka thënë se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës, mashkull 29-vjeçar(1996), është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.”, thuhet tutje në njoftim.

Share This