Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sipas kalendarit, sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.

Në Hagë, sot, do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Kurse këtë javë pritet që të përfundojë lista me emrat e propozuar për intervistim nga kjo palë.

“Siç ishte paralajmëruar edhe më parë, ZPS do të përfundojë me dëshmitë e dëshmitarëve në gjykatë këtë javë, ndërsa do ta përfundojë çështjen e saj deri më 15 prill. Numrin e dëshmitarëve që kanë dëshmuar deri më tani dhe atyre të cilave janë pranuar me shkrim, do ta bëjë të ditur kur të jenë të gatshme”, thonë në përgjigjen e ZPS-së për RTK.

E pas prokurorisë, radha do t’u vije palëve të tjera. Në një përgjigje për RTK-në, nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se pasi prokuroria ta ketë mbyllur çështjen e saj, ekipeve mbrojtëse do t’u jepet mundësia të kërkojnë rrëzimin e ndonjë akuze apo të gjitha akuzave ndaj klientëve të tyre.

“Nëse vendosin të bëjnë kërkesa të tilla, ekipet e mbrojtjes kanë njoftuar se do t’u nevojiten rreth katër javë për t’u përgatitur për këtë. Pasi gjykatësit të kenë vendosur për këto kërkesa, në qoftë se kanë, Mbrojtësi i Viktimave do të fillojë të paraqesë  çështjen e tyre. Gjatë seancave të fundit, Mbrojtësi i Viktimave ka deklaruar se do të dëshironin të paraqisnin tre deri në katër dëshmitarë dhe se do t’u nevojiteshin nga një deri në dy javë për të paraqitur çështjen e tyre. Nëse Trupi Gjykues hedh poshtë plotësisht ose pjesërisht kërkesat e ekipeve mbrojtëse, atyre do t’u jepet kohë për t’u përgatitur për çështjen e tyre përkatëse. Ata kanë deklaruar se do t’u nevojiten rreth 10 javë pune për ta bërë këtë. Pasi të jenë përgatitur, ekipet e mbrojtjes do të fillojnë të paraqesin çështjet e tyre”, thonë nga Specialja.

Sipas Dhomave të Specializuara, është me rëndësi të theksohet se i takon Trupit Gjykues të vendosë për afatet kohore që do t’u jepen palëve për t’u përgatitur për çështjet dhe parashtrimet e tyre.

Share This