
Uta, shqiptarja e kosovarja e parë që ka ngjitur të 14 majat mbi 8000 metra
Uta Ibrahimi ka përfunduar me sukses ngjitjen e katërmbëdhjetë majave më të larta në botë, duke hyrë në historinë e alpinizmit si shqiptarja e parë dhe personi i parë nga Kosova që arrin këtë sukses.
Kurorëzimi është arritur të shtunën e 10 majit me ngjitjen e fundit në Kangchenjunga (8,586 metra), maja e tretë më e lartë në botë.
Ky ishte akti përmbyllës i projektit të saj “Utalaya 14×8000”, një rrugëtim që nisi më 22 maj 2017, kur Uta ngjiti Everestin (8,848 metra). Gjatë tetë viteve, ajo ka sfiduar disa prej kulmeve më të rrezikshme dhe të frikshme të Himalajeve dhe Karakoramit, përfshirë K2, Annapurna, Nanga Parbat, Lhotse dhe Broad Peak.
Konfirmimi ka ardhur edhe nga Federata e Bjeshkatarisë dhe Ngjitjes Sportive e Kosovës, që ka theksuar se Uta Ibrahimi ka shkruar histori. “Sot, ne nuk festojmë vetëm forcën dhe suksesin e saj — por edhe mesazhin e saj për gjithë botën: ëndrrat nuk kanë kufij. Nga luginat dhe malet e Kosovës në majat më të larta të Tokës — urime, Uta. Ke shkruar histori”, ka theksuar federata.