
Uran Ismaili: Transporti publik në Prishtinë do të bëhet falas deri në fund të mandatit, ja si do ta realizojë!
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka sqaruar planin e tij për realizimin e zotimit që transporti publik në kryeqytet të bëhet falas deri në fund të mandatit.
Ai tha se kjo nismë do të nxisë përdorimin e autobusëve dhe do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve në Prishtinë, duke theksuar se masa do të vlejë për të gjitha kategoritë. Sipas tij, shumë qytete dhe shtete e kanë aplikuar tashmë me sukses këtë model.
Sa i përket financimit, Ismaili u shpreh se projekti nuk do të rëndojë mbi buxhetin aktual të komunës. Ai përmendi disa burime të reja të ardhurash, si “Prishtina Parking”, parkingjet në hyrje të qytetit, si dhe hapësirat reklamuese në qytet dhe brenda autobusëve, që sipas tij do të gjenerojnë të ardhura të mjaftueshme për mbulimin e kostos.
“Qëllimi është që kjo nismë të realizohet gradualisht, por të jetësohet plotësisht deri në fund të mandatit, duke e kthyer transportin publik në një shërbim funksional dhe të qasshëm për të gjithë qytetarët e Prishtinës”, u shpreh Ismaili.


