“Unë e konsideroj Kosovën si fqinje”, Suljagiq: Serbia ka arritur ta largojë Bosnje dhe Hercegovinën nga Kosova
Drejtori i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, Emir Suljagiq, ka folur për marrëdhëniet bilaterale në mes Kosovës dhe Bosnjës e Hercegovinës.
Ai tha se kjo marrëdhënie që “ekziston apo nuk ekziston fare”, po i dëmton të gjithë.
“Po i dëmton edhe ata që janë përgjegjës për të. E ata që janë përgjegjës për të janë politikanët e Bosnjës nga radhët e serbëve, por se si ia bëjmë përreth kësaj, kjo është pjesa e rëndësishme. E këtu duhet të jem krejt i sinqertë, e të pajtohem me ju, që nuk kemi bërë mjaftueshëm, as afër, për të krijuar një marrëdhënie që unë e konsideroj vitale, sepse jemi pjesë e të njëjtës lagje, sepse e urrej fjalën rajon, jemi pjesë e të njëjtës lagje. Unë e konsideroj Kosovën si fqinje të Bosnjës e Hercegovinës”, tha Suljagiq.
Ai në një intervistë për “Kallxo Përnime”, tha se nuk e di se pse nuk po gjendet një mënyrë për të zgjidhur regjimin e vizave.
Suljagiq e konsideroi sukses të Serbisë, largimin e Bosnje e Hercegovinës nga Kosova.
“Pse nuk jemi më proaktivë, pse nuk po gjejmë mënyra për të zgjidhur këtë regjimin e vizave, sinqerisht nuk e di. Po të isha unë në pozitë për ta bërë, do ta bëja, sepse siç e thashë, e konsideroj këtë me rëndësi jetike. Mendoj që një prej sukseseve më të mëdha të politikës serbe në rajon është që ka arritur të largojë Bosnjën nga Kosova”, tha tutje drejtori i Qendrës Memoriale të Srebrenicës.
Ai shtoi se serbët e Bosnjës kanë marrë, si pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, fuqinë e vetos në çështje si politika e jashtme, u është dhënë vetoja mbi një numër çështjesh.
“Kushtetuta jonë është ndërtuar mbi, si ta them këtë, tanket serbe! Tanket serbe janë integruar brenda Kushtetutës sonë. Në thelb, serbët e Bosnjës kanë marrë, si pjesë e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, fuqinë e vetos në çështje si politika e jashtme, u është dhënë vetoja mbi një numër çështjesh. Tani, kemi një situatë paradoksale ku, mbi 50% e popullatës tekstualisht mbahen peng nga 20-25% e popullatës, e arsyeja është që shumica e popullatës, 50 apo mbi 50%, janë muslimanë, kaq e thjeshtë është. Edhe disa prej vetë hartuesve të Marrëveshjes së Dejtonit janë marrë më shumë me terrorizmin islamik në Bosnjë, sesa që janë marrë me ndalimin e gjenocidit” , tha tutje ai.
Në korrikun e vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë më shumë se 8 mijë burra e djem myslimanë.
Ndryshe Suljagiq qëndroi në Kosovë për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës si dhe ishte pjesë e hapjes së ekspozitës “Reportig House”.