UKSHFZ mbështet rizgjedhjen e Agim Ademit në krye të FFK-së: Rezultatet dhe avancimi i shpejtë i futbollit të Kosovës janë dëshmi e qartë e lidershipit

UKSHFZ mbështet rizgjedhjen e Agim Ademit në krye të FFK-së: Rezultatet dhe avancimi i shpejtë i futbollit të Kosovës janë dëshmi e qartë e lidershipit

Feti Demoli: Sukseset e futbollit kosovar janë dëshmi e punës së Agim Ademit

Unioni i Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër (UKSHFZ), në krye me kryetarin Feti Demoli, ka shprehur mbështetje të plotë për rizgjedhjen e z. Agim Ademi si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Në një komunikatë zyrtare, UKSHFZ njofton se më 5 shkurt 2026, delegatët e FFK-së do të mblidhen në Kuvendin Zgjedhor, ku do të vendoset për kryetarin dhe kryesinë e re të federatës, sipas statutit dhe rregullores në fuqi. Kandidat për kryetar është edhe aktuali, z. Agim Ademi.

Kryetari i UKSHFZ-së, Feti Demoli, pas konsultimeve me kryesinë e ngushtë, ka vlerësuar lartë punën dhe angazhimin e Agim Ademit, duke theksuar se futbolli kosovar ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në vitet e fundit, veçanërisht në nivel të kombëtares dhe organizimit të brendshëm të klubeve.

“Rezultatet dhe avancimi i shpejtë i futbollit të Kosovës janë dëshmi e qartë e lidershipit dhe përkushtimit të kryetarit aktual. Për këtë arsye, i japim mbështetjen e plotë për rizgjedhjen e tij edhe për një mandat tjetër në krye të FFK-së,” thuhet në komunikatë.

Demoli ka theksuar gjithashtu rëndësinë e informimit të opinionit publik, brenda dhe jashtë Kosovës, për punën e bërë nga FFK-ja dhe kryesia e saj, duke e cilësuar këtë angazhim si shembull të mirë për unifikimin dhe afrimin e shqiptarëve të diasporës me vendlindjen, në veçanti në fushën e futbollit.

Në komunikatë përmendet edhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i FFK-së me UKSHFZ-në dhe 29 klubet aktive në Zvicër, me fokus të veçantë në zbulimin e talenteve të reja futbollistike, të cilët në të ardhmen mund të përfaqësojnë Kombëtaren e Kosovës.

Kryesia e UKSHFZ-së vlerëson lartë kontributin e FFK-së dhe të kryetarit Agim Ademi në zhvillimin e futbollit kosovar, duke theksuar se sukseset e arritura sot pasqyrohen edhe në vëmendjen dhe vlerësimet pozitive nga mediat prestigjioze ndërkombëtare.

Në fund, UKSHFZ i uron suksese Federatës së Futbollit të Kosovës dhe kryetarit Agim Ademi në vazhdimin e rrugës së zhvillimit dhe afirmimit të futbollit kosovar.

Share This