Uji që vjen nga kanali i Ibër-Lepencit ende nuk është për pije
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije. Sipas MSH-së, janë kryer disa analiza të ujit, të cilat kanë rezultuar se është i papastër
“Pas shpërthimit në kanalin e Iber-Lepencit në komunën e Zubin Potokut, IKSHPK, respektivisht Qendra Rajonale e Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, në bashkëpunim me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica” kanë marrë mostrat e ujit të patrajtuar për të kryer analizat e nevojshme. Sipas analizave të para, të kryera në ujin e patrajtuar, uji që kalon nëpër kanalin e Ibër-Lepencit nuk është për momentin i pastër për pije, ndërkohë që përveç analizave mikrobiologjike dhe atyre bakteriologjike, IKSHPK/QRSHP Mitrovicë, do të analizojë edhe parametra të tjerë që kanë të bëjnë me praninë e metaleve në ujë”, theksohet në njoftim, raporton RTK.
IKSHPK ka thënë se është në bashkëpunim të ngushtë me Kompaninë Rajonale Ujësjellësi në Mitrovicë dhe KRU “Prishtina”, do të monitorojnë ujin nga Kanali i Ibër-Lepencit dhe do t’i kryejnë të gjitha analizat e nevojshme për t’u siguruar që uji, para se të lejohet për pije, t’i përmbush parametrat e lejuar.
Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK sigurojnë qytetarët që janë duke u ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme që uji që përdoret në zonat e prekura nga pasojat e shpërthimit t’i përmbushë standardet e lejuara.
Të premten është sulmuar infrastruktura kritike e kanalit të ujit “Ibër-Lepenci” në Zubin Potok, ku janë shkaktuar dëme serioze.