UEFA tregon shanset e Kosovës për t’u promovuar në Ligën B

UEFA tregon shanset e Kosovës për t’u promovuar në Ligën B

Derisa kanë mbetur edhe dy xhiro për t’u zhvilluar në kuadër të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve, të cilat zhvillohen gjatë muajit nëntor, Unioni i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA) ka bërë një përmbledhje dhe një përllogaritje mbi gjasat e kombëtareve për promovim, mbetje në ligat ku janë, ose për rënien nga to.

UEFA thotë se tash pamja është më e qartë në secilin prej 14 grupeve në garë.

Në Grupin C të Ligës C, ku Kosova (vendi 2) bën pjesë bashkë me Rumaninë (1), Qipron (3) dhe Lituaninë (4), gjendja dhe shanset janë si vijon: Rumania do të promovohet nëse shmang humbjen nga Kosova, kurse Kosova duhet ta mposhtë Rumaninë për të mbetur në garë për promovim direkt, derisa Qipro do të shpëtojë nga rënia nëse e siguron një pikë kundër Lituanisë. Ndërsa Qipro nuk gjasa për promovim, kurse Lituania do të konfirmohet në pozitën e katërt nëse nuk mposht Qipron.

Vendi i parë promovohet në Ligën B, kurse vendi i dytë shkon në pllejoff të Ligës B/C. Vendi i tretë mbetet në Ligën C, dy vendet e katërta të renditura më së dobëti bien në Ligën D; dy vendet e katërta të renditura më së miri garojnë në pllejofin për Ligën C/D. Kosova nga katër ndeshjet e zhvilluara deri më tani ka tri fitore dhe një humbje.

Më 15 nëntor Kosova i shkon Rumanisë, ndërsa tri ditë më pas e pret në “Fadil Vokrri” Lituaninë.

Share This