Turqia ‘rrëzon’ Austrinë në një sfidë të çmendur, prek çerekfinalet e Evropianit

Turqia ‘rrëzon’ Austrinë në një sfidë të çmendur, prek çerekfinalet e Evropianit

Turqia është bërë çerekfinalisti i fundit në Kampionatin Evropian “Euro 2024”, pasi arriti ta eliminojë Austrinë.

Edhe pse shumica e panë Austrinë si favorit, Turqia zhvilloi një paraqitje solide për të triumfuar me rezultat 1:2.

Pas vetëm 57 sekondave lojë, Merih Demiral përfitoi nga një top i kthyer për të kaluar Turqinë në epërsi.

Ky gol njëkohësisht ishte më i shpejti në histori në një fazë të eliminimit direkt në Evropian.

Pas kësaj, loja ishte më e barabartë, ku dy kombëtaret po tentonin të shënonin por gjetën vështirësi për t’i finalizuar aksionet.

Austria kishte dy raste të mira me Baumgartner dhe Arnautovic, mirëpo që të dy zhgënjyen përballë portierit.

Kur askush s’e priste, Arda Guler dhuroi një harkim maestral te Demiral, që vulosi fitoren duke shënuar me kokë (59’).

Austria tentoi të këndellet, por e tëra që arriti të bënte ishte goli i nderit i shënuar nga i inkuadruari Michael Gregoritsch, që shënoi nga afërsia pas asistimit të Stefan Posch (66’).

Kësisoj, Turqia kualifikohet në çerekfinale të “Euro 2024”, ku do të përballet me Holandën që para pak orëve e eliminoi Rumaninë.

Share This