Turistët e huaj: Durrësi, zgjedhja më e mirë për pushimet këtë verë

Turistët e huaj: Durrësi, zgjedhja më e mirë për pushimet këtë verë

Kryeministri Edi Rama ndau sot përshtypjet e pushuesve të shumtë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur Durrësin si destinacionin e tyre për të kaluar pushimet verore.

“Pushuesit që po shijojnë plazhet, motin e mrekullueshëm, peizazhet dhe një përvojë fantastike gastronomike në Shqipëri, konfirmojnë se nuk mund të bënin zgjedhje më të mirë se Durrësi për pushimet e tyre këtë verë”, u shpreh Rama.

“Këtu më pëlqen pastërtia, më pëlqen qetësia, ambient familjar. Roja bregdetare shumë mirë, për sa vite kam unë, s’na ka ndodhur ndonjëherë ndonjë problem”, u shpreh një pushues vendas.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Na pëlqen shumë dhe është një ndryshim i madh për ne të vijmë në një vend me mot të ngrohtë, ku njerëzit janë shumë miqësorë dhe ushqimi është i mrekullueshëm”, u shpreh një turist i huaj.

Një tjetër turiste e huaj theksoi se, “jam vërtetë e surprizuar. Mendoj se keni një potencial të madh për turizëm. Natyra është shumë e bukur, njerëzit janë shumë miqësorë, plazhe dhe mot i mrekullueshëm. Jam shumë e kënaqur me pushimet e mia këtu”.

Një prej operatorëve turistik u shpreh se, “pjesa më e madhe janë turistët polakë, të cilët Shqipërinë e kanë shumë përzemër. Ka një rritje të ndjeshme edhe të turistëve gjermanë e belgë.  Pra, Shqipëria po kthehet në një destinacion të ri dhe me oferta shumë të mira për turistët e huaj”.

Një pushues nga Kosova u shpreh se, “çka më pëlqen është mikpritja, respekti. Deti më pëlqen. Kam qenë edhe në Golem, shumë bukur. S’ka ujë më të mirë se këtu”.

Një turiste nga Gjermania tha se, “më pëlqen shumë vendi dhe plazhi. Vij për herë të dytë me bashkëshortin dhe fëmijët dhe na pëlqen shumë”. /atsh/

Share This