Trump vë në dyshim identitetin racor të Harris
Donald Trump ka vënë në dyshim identitetin racor të Kamala Harris gjatë një konvente për gazetarët me ngjyrë, sipas BBC.
Trump pretendoi në mënyrë të rreme se zëvendëspresidentja dhe kandidatja e supozuar demokrate kishte përmendur vetëm trashëgiminë e saj aziatike-amerikane deri vonë, kur ai zbuloi se “ajo ishte një person me ngjyrë”.
“Unë nuk e dija se ajo ishte me ngjyrë deri disa vite më parë – dhe tani na doli që ishte me ngjyrë dhe që dëshiron të njihet si e tillë”, tha Trump në kongresin e Shoqatës Kombëtare të Gazetarëve me Ngjyrë, në Çikago.
“Pra, nuk e di – A është ajo indiane apo është një grua me ngjyrë?”, tha ai.
Harris tha se deklarata e Trump ishte “e njëjta shfaqje e vjetër” e “përçarjes… dhe mosrespektimit”.
“Populli amerikan meriton më mirë”, tha ajo në një takim në Hjuston.
“Ne meritojmë një lider që kupton se dallimet tona nuk na ndajnë – ato janë një burim thelbësor i forcës sonë”, tha Harris.
Harris është zëvendëspresidentja e parë me ngjyrë dhe aziato-amerikane, me prindër të lindur në Indi dhe Xhamajkanë.
Ajo ndoqi Universitetin Howard, një universitet historikisht për njerëzit me ngjyrë, dhe iu bashkua grupit mbizotërues me ngjyrë “Alpha Kappa Alpha”.
Ajo u bë anëtare e Grupit të njerëzve me ngjyrë të Kongresit pasi hyri në Senat në 2017.
“Askush nuk ka të drejtë t’i tregojë dikujt se kush është apo si identifikohet”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. /atsh