
Trump pezullon tarifat për gati të gjitha vendet e botës
Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar tarifat e vendosura mbi gati të gjitha shtetet por ka rritur edhe më shumë tarifat ndaj mallrave kineze duke nxitur edhe më tej ballafaqimin me Pekinin.
Në një lëvizje të befasishme, pak ditë pasi që shpalli tarifat tregtare me të gjitha vendet që tregtojnë me SHBA-në, presidenti amerikan Donald Trump, njoftoi se ka vendosur që të pezullon të gjitha tarifat reciproke, për një periudhë 90-ditore, për të gjitha shtetet përveç Kinës me të cilën tarifat e dyanshme tanimë kanë arritur nivele shumë të larta dhe rrezikohet të rritën edhe më tej.
Sipas Trump, të gjitha vendet që tregtojnë me ShBA-në tani do të kenë tarifë të njëjtë prej 10% , përveç Kanadasë dhe Meksikës të cilat do të paguajnë tarifa prej 25% dhe Kinës.
Trump njoftoi se tarifat për mallrat kineze do të rritën nga 104% në 125%- vendimi i fundit i Trump për rritjen e mëtejme të tarifave ndaj Kinës erdhi pasi që Pekini iu kundër-përgjigj tarifave të Trump me kufizimin e eksporteve të mineraleve të rralla të cilat të domosdoshme për shumë industri perëndimore dhe me rritjen e tarifave Kineze për mallrat amerikane, të cilat tani qëndrojnë në 84% por besohet se do të rritën pas njoftimit të fundit të presidentit amerikan.
Megjithatë, Trump shprehi pak optimizëm duke thënë se beson që do të arrihet marrëveshje edhe me Kinën.
Vendimi i Trump për pezullimin e tarifave u prit mirë në tregjet e dërmuara botërore të cilat kanë humbur qindra miliarda dollarë për pak ditë. Është njoftuar se pak pas lajmit për pezullim, ka filluar stabilizimi i bursave dhe rikthimi i vlerave të kompanive të mëdha. /rtk/