Trump i prerë: Kemi nevojë për Groenlandën, është një domosdoshmëri për sigurinë ndërkombëtare

Trump i prerë: Kemi nevojë për Groenlandën, është një domosdoshmëri për sigurinë ndërkombëtare

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të marrin kontrollin e Groenlandës për të ruajtur “paqen botërore”.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur zëvendëspresidenti J.D. Vance ndodhet për një vizitë në territorin që kontrollohet nga Danimarka, duke inspektuar bazën ushtarake amerikane Pituffik.

Gjatë një konference në Zyrën Ovale, Trump u shpreh se Groenlanda është një territor strategjik që SHBA nuk mund ta injorojë.

“Ne kemi nevojë për Groenlandën. Nuk është çështje zgjedhjeje, është një domosdoshmëri për sigurinë ndërkombëtare,” tha ai.

Sipas Trump, ndryshimet klimatike kanë lehtësuar qasjen në rrugët ujore të Arktikut, duke e bërë rajonin një pikë kyçe për mbrojtjen globale.

Trump argumentoi se Rusia dhe Kina po e shfrytëzojnë këtë hapësirë për interesat e tyre dhe se SHBA nuk mund të mbështetet tek Danimarka për të garantuar sigurinë e rajonit.

“Nëse shikoni Groenlandën tani, do të shihni anije ruse dhe kineze kudo. Nuk do të presim që dikush tjetër ta zgjidhë këtë situatë,” shtoi ai.

Ndërkohë, zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe bashkëshortja e tij Usha po vizitojnë bazën ushtarake amerikane në Groenlandë, ku po shqyrtojnë rëndësinë strategjike të rajonit.

Vance kritikoi ashpër Danimarkën, duke thënë se qeveria daneze nuk ka bërë sa duhet për të siguruar stabilitetin e territorit.

“Kjo duhet të ndodhë, sepse miqtë tanë në Danimarkë nuk e kanë bërë punën e tyre për të siguruar këtë zonë,” deklaroi Vance. Ai shtoi se Groenlanda ka një rol të rëndësishëm në sigurinë globale dhe se SHBA nuk mund të injorojë kërcënimin e Rusisë dhe Kinës.

Vizita e Vance është parë si një provokim nga Kopenhageni dhe Nuuk, kryeqyteti i ishullit, me liderët danezë dhe ata të Groenlandës që kanë kundërshtuar fuqishëm çdo përpjekje të SHBA për të marrë kontrollin e territorit.

Kryeministrja daneze Mette Frederiksen e cilësoi vizitën si “presion të papranueshëm” dhe theksoi se SHBA duhet të respektojë sovranitetin e Groenlandës.

Ndërkohë, planet për një vizitë më të gjerë të Ushës në Groenlandë u anuluan për shkak të refuzimit të banorëve lokalë për t’u takuar me të dhe paralajmërimeve për protesta.

Pavarësisht kundërshtimeve të Danimarkës, Trump ka bërë të qartë se SHBA nuk do të heqë dorë nga Groenlanda, duke e konsideruar atë jetike për “sigurinë e botës”.

Share This