
Trump: BE të blejë energjinë tonë nëse do uljen e tarifave
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Bashkimi Evropian do të duhet të angazhohet në blerjen e energjisë amerikane me vlerë 350 miliardë dollarë për të zvogëluar tarifat masive të SHBA-së.
Ky qëndrim i Trumpit vjen pas deklaratës së presidentes të Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, e cila tha se BE kishte ofruar të zvogëlojë tarifat e BE-së në zero për makinat dhe mallrat industriale të importuara nga Shtetet e Bashkuara nëse Trump vepron në të njëjtën mënyrë.
I pyetur nga një gazetar nëse kjo ofertë ishte e mjaftueshme që ai të pajtohej me relaksimin, Trump u përgjigj: “Jo, nuk është e mjaftueshme. ”
“Ne kemi një deficit 350 miliardë dollarë me Bashkimin Evropian, dhe do të largohet shpejt. Një nga mënyrat se si mund të largohet lehtë dhe shpejt është se ata do të duhet të blejnë energjinë tonë … Ata duhet të blejnë dhe të angazhohen për të blerë të njëjtën sasi energjie, ” tha presidenti amerikan.
Ideja e blerjes së energjisë amerikane për të shmangur tarifat nuk është e re. Pothuajse menjëherë pas rizgjedhjes së Trump, von der Leyen propozoi të fillojë negociatat për blerjen e më shumë gazit natyror të lëngshëm amerikan. Por ShBA nuk ofroi ndonjë qartësi se si do të funksiononte një marrëveshje e tillë.
Më vonë në konferencën për shtyp, një reporter e pyeti Trump nëse kishte dy ose tre vende në listën e tij që ai mendonte se kishin lëvizur më tej për sa i përket uljes së tarifave, dhe Trump e përmendi BE-në: “Bashkimin Evropian. Dua të them, aq keq sa ata na kanë trajtuar, ata kanë ulur ndjeshëm tarifat e tyre për makina. Unë mendoj se ata i kanë ulur në 2.5, dhe kam dëgjuar ndoshta në zero. ”
Më herët, Trump tha që SH.B.A. nuk do të negociojë me Evropën për të ndryshuar tarifat nëse nuk paguan shumë para çdo vit, raporton rtsh.