
Tri viktima në 24 orë, shqetësues numri i armëve në duar të qytetarëve
Tri viktima brenda 24 orëve kanë tronditur vendin. Vrasja e një 19-vjeçari me armë zjarri nga bashkëmoshatari i tij në Vushtrri, vrasja e një gruaje nga një burrë, e pastaj vetëvrasja e tij, po vlerësohen si shqetësuese nga njohës të sigurisë.
Ajo që mbetet shqetësuese është numri i konsiderueshëm i armëve pa leje që edhe më tutje mbeten në duar të qytetarëve dhe që potencialisht paraqesin rrezik për vrasje të tjera.
Megjithatë, njohës të çështjeve të sigurisë thonë se në rastet kur kryerësit e veprave përgatiten paraprakisht, ata gjejnë formën për të kryer krimin dhe për të gjetur armën.
“Te vrasjet e planifikuara nuk është armëmbajtja pa leje që mund të ndikojë në epilogun tragjik. Vrasjet e planifikuara kanë motive të tjera, raste të tjera për të cilat kryesit e veprave paraprakisht përgatiten, dhe me leje apo pa leje, ata e gjejnë mënyrën për të pasur armën dhe për të kryer vrasjen”, tha Fatmir Çollaku, njohës i çështjeve të sigurisë.
Gëzim Shala, hulumtues nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson se çështje problematike është edhe politika ndëshkimore e ndjekur nga Gjykatat.
“Sipas Kodit Penal të RKS, dënimi në këto raste mund të shkojë deri në 7 mijë e 500 euro ose burgim deri në 5 vite. Me përjashtim të një rasti, asnjë person nuk është dënuar me burgim efektiv. Po ashtu, edhe personat që janë dënuar me gjobë, gjobat kanë qenë shumë të ulëta. Përballë maksimumit të përcaktuar me ligj, mesatarja është nën 1 mijë euro për 3 vite. Kjo politikë e butë ndëshkimore praktikisht po shërben si një lloj amnistie ose leje për këto armë që janë në duar të qytetarëve”, tha ai.
Sipas statistikave nga Policia e Kosovës, në vitin 2023 janë kryer 29 vrasje, ndërsa në vitin 2024 janë kryer 17 vrasje.
Gjatë këtij viti janë konfiskuara 1537 armë, ndërsa vetëm në dymujorin e parë të vitit 2025 janë konfiskuar 235 armë nga Policia e Kosovës. /rtk/