Tre vrarë në një gjimnaz në Bosnjë e Hercegovinë
Tre persona janë vrarë e një raportohet se është plagosur rëndë, si pasojë e një sulmi të armatosur në një shkollë në Sanski Most në perëndim të Bosnjë dhe Hercegovinës. Raportohet se është vrarë drejtori i shkollës dhe dy mësimdhënëse.
Të paktën tre persona janë vrarë gjatë të shtënave në një gjimnaz në Sanski Most në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ministria e Punëve të Brendshme e ka konfirmuar se sulmuesi i armatosur ka vrarë tre persona. Sipas informatave, të vrarë kanë mbetur drejtori i shkollës, mësimdhënësja e gjuhës angleze dhe një tjetër mësimdhënëse.
Sipas informatave, një punëtor i shkollës, që dyshohet të jetë ish-mirëmbajtësi, ka hyrën i armatosur në objektin e gjimnazit dhe me armë automatike ka shtënë drejt mësimdhënësve të cilët në atë moment po mbanin mbledhje. Sipas raporteve, një person është lënduar rëndë dhe është dërguar në spital.
I dyshuari, pas sulmit, raportohet se është përpjekur të bëjë vetëvrasje. Një numër i madh i policëve dhe automjeteve të emergjencës janë në vendin e ngjarjes, raporton rtk.