“Trajneri zyrtarizohet për punë ditësh”, Ademi: Kosova synon vetëm fitoren e grupit!
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi foli në Supersport për të komentuar rreth shortit të Nations League, aty ku Dardanët do të luajnë në Grupin 2 të Ligës C së bashku me Rumaninë, Qipron dhe një mes Lituanisë dhe Gjibraltarit.
Ademi theksoi se Kosova do të kërkojë ta fitojë grupin ndërsa u shpreh se trajneri do të zyrtarizohet në ditët e ardhshme.
Shorti? “Një short i cili ka ekipe të cilat i njohim, Rumaninë e kemi përballur së fundmi. Grupi është i mirë dhe jemi favorit, duke pasur parasysh edhe formën e lojtarëve aktualisht. Ata po marrin minuta dhe shpresoj të mos lëndohen e të kemi formacionin standart. Në shumë ndeshje na kanë munguar lojtarë dhe një ekip si i joni e ndjen mungesën e titullarëve. Kërkojmë rezultat”.
Trajneri, pse po vonohet? “Kemi pasur shumë propozime dhe kanë qenë trajnerë me emër dhe me bagazh. Kanë qenë në liga dhe kombëtare të njohura, por do të kërkojmë të duhurin për të arritur objektivat tonë. Nuk jemi në fazën e zhvillimit të skuadrës, na duhet një trajner që kërkon kualifikimin dhe nga Nations League duam të jemi të parët dhe po mendojmë për këtë kompeticion. Kemi katër ndeshje miqësore dhe trajneri i ri do ta ketë kohën në dispozicion për muajin shtator. Nuk e di me datë, por jemi në fazën përfundimtare të zyrtarizimit të trajnerit. Po shohim edhe pjesën ekonomike ku na përshtatet më shumë”.
Miqësoret? “Miqësoret janë të caktuara ndaj Armenisë dhe Hungarisë në mars, në qershor me Norvegjinë. Ka edhe një tjetër ndeshje për t’u përcaktuar. Pas këtij shorti do të gjejmë edhe kundërshtarin tjetër, trajneri do të jetë para miqësoreve, është çështje ditësh vendosja e trajnerit. Besoj se ka kohën e duhur në dispozicion”, u shpreh Ademi.