“Tjetër fitore e madhe”, Atalanta vlerëson kapitenin Berat Gjimshiti

“Tjetër fitore e madhe”, Atalanta vlerëson kapitenin Berat Gjimshiti

Atalanta nderon Berat Gjimshitin. Mbrojtësi nga Bujanovci i Luginës së Preshevës, udhëhoqi skuadrën kombëtare si kapiten në fitoren drithëruese 3-0 ndaj Çekisë.

30-vjeçari regjistroi ndeshjen numër 52 me fanellën kuqezi, teksa prej vitesh është kthyer në liderin e Kombëtares dhe idhullin absolut të tifozëve.

Falë klasit dhe saktësisë së tij, por edhe vlerave të mëdha njerëzore, duke qenë një shembull fantastik për të gjithë.

“Një tjetër fitore shumë e rëndësishme për kapitenin Gjimshiti dhe Shqipërinë e tij”, shkruan klubi bergamask në faqen zyrtare.

Gjimshiti u bë pjesë e Atalantës në janarin e vitit 2016. Huazimet tek Avellino dhe Benevento e mbushën me besim dhe eksperiencë.

Ndërkohë që prej verës së vitit 2018 është pjesë e palëvizshme e zikaltërve të Gasperinit, me trajnerin që e cilëson një pikë të rëndësishme të skuadrës dhe skemave të tij.

Dhe Shqiptaria gëzon dhe ndihet krenare që ka në përbërje një kapiten të mrekullueshëm si Berati, i cili pas triumfit me çekët në “Air Albania” u shpreh:

“Ishte një arritje për gjithë Kombin. Një fitore madhështore, dhe besoj se kanë festuar të gjithë shqiptarët. I falënderoj të gjithë për mbështetjen.

Sylvinho na ka bërë ekip, jemi të gjithë për njëri-tjetrin dhe vrapojmë për njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e rëndësishme, por sigurisht që të gjithë kanë talent.

Tani jemi bërë ekip, por megjithatë kemi ende punë për t’u përmirësuar. Vetëbesimi është një nga gjërat më të rëndësishme, që të dalësh në fushë dhe ta shohësh kundërshtarin në sy. Dhe të thuash sot do fitoj unë.

Borxh mua nuk më ka askush, borxh ndoshta i kam unë Shqipërisë dhe jo Shqipëria mua. Sigurisht që u mërzita në 2016-n që u largova nga Europiani, por punova më shumë dhe ja ku jemi sot”, u shpreh Gjimshiti.

Shqipëria rikthehet në fushë të martën. Në miqësoren ndaj Bullgarisë (18:00) në “Air Albania”, përballje që vjen live në SuperSport 2.

Share This