Thaçit dhe Veselit u vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj
Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët akuzohen së bashku me Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin për krime lufte.
Në dy vendimet e 13 dhjetorit 2024 është thënë se paneli ka arritur në përfundim se nuk ka informacione të mjaftueshme që justifikojnë dyshimet se Thaçi dhe Veseli mund të arratisen.
Megjithatë, sipas tyre, ekziston rreziku se ata mund të pengojnë procedurat si dhe të kryejnë krime të tjera kundër atyre që konsiderohen si kundërshtarë të UÇK-së ose edhe ndaj dëshmitarëve.
Sipas vendimit, ZPS-ja kishte argumentuar se asnjë nga rreziqet nuk mund të menaxhohen më mirë sesa në objektin e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ata kanë parashtruar se sjellja e Veselit përbën rrezik sa që edhe kufizimet dhe monitorimi i komunikimeve në objektin e paraburgimit nuk mjaftojnë për t’i adresuar ato. Njëjtë është thënë edhe në vendimin për Thaçin.
Kujtojmë se Thaçi, Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi gjenden në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.