
Tërnava uron besimtarët myslimanë për muajin e Ramazanit
Myftiu Naim Tërnava një ditë para se të fillojë Muaji i Ramazanit ka uruar qytetarët e vendit, ndërsa thekson se besimtarët myslimanë e mirëpresin muajin Ramazan për ta rikthyer pastërtinë e zemrave, shkëlqimin e shpirtrave dhe kthjelltësinë e ndërgjegjes.
Tërnava në një konferencë për media theksoi se sonte, me faljen e namazit të teravive, e me ngrënien e syfyrit në agimin e nesërm, besimtarët myslimanë nisin ibadetin e agjërimit të muajit të bekuar Ramazan.
Mesazhi i plotë i Tërnavës:
Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të bekuar Ramazan
Të nderuar vëllezër dhe motra,
Të dashur qytetarë!
Sonte, me faljen e namazit të teravive, e me ngrënien e syfyrit në agimin e nesërm, besimtarët myslimanë nisin ibadetin e agjërimit të muajit të bekuar Ramazan. Andaj sonte, kemi natën e madhe të Ramazani, ku me këtë rast, kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet dhe urimet më të mira, me bindjen dhe shpresën që ta presim dhe ta përjetojmë agjërimin e muajit të bekuar me përkushtim në lutje, ibadete, bamirësi dhe solidaritet.
Është e natyrshme që njeriu t’i përjetoj dhe t’i shijoj mirësitë dhe begatitë e shumta të dhuruara prej Zotit xh.sh., e një ndër to është edhe agjërimi i muajit Ramazan. E si të mos e mirëpret besimtari ardhjen e muajit të bekuar, që është një nga pesë shtyllat e Islamit, dhe që konsiderohet një mundësi e madhe për t’iu afruar edhe më shumë begative të Zotit. Në këtë mënyrë, zemra e myslimanit është e përgatitur për të hyrë në atmosferën e adhurimit, për ta pastruar shpirtin përmes agjërimit, namazit, sakrificës dhe dhembshurisë për të varfrit dhe nevojtarët, për ta arritur kështu devotshmërinë dhe për të reflektuar mbi mësimet e fesë.
Besimtarët myslimanë, me të drejtë e përjetojnë me përkushtim ardhjen e muajit të mirësisë, devotshmërisë, sakrificës dhe faljes së mëkateve, muaj i cili na sjellë mirësi, gëzim, bereqet, begati, mëshirë, lumturi, shëndet dhe paqe, si te fëmijët, te të rinjtë, te nipi e mbesa, te gjyshi e gjyshja, te babai dhe te nëna, muaj i cili përshkon dhe ndriçon fytyrat dhe shpirtrat e të gjithë besimtarëve, andaj porositemi që ta shtojmë adhurimin dhe veprat e mira.
Kanë mbetur edhe pak orë e të shfaqet në mbarë botën gjysmëhëna e muajit të bekuar Ramazan, muaj të cilin e dëshirojnë zemrat dhe shpirtrat e besimtarëve, muaj që me mall e presim ardhjen e tij për t’iu bashkuar në mëshirë dhe falje, muaj që i begaton edhe më shumë sofrat tona, andaj për besimtarët është një dëshirë e madhe dhe një bekim madhështor që t’i shfrytëzojmë të mirat e veçanta që sjellë ky muaj.
Të respektuar vëllezër dhe motra,
Besimtarët e mirëpresin muajin Ramazan për ta rikthyer pastërtinë e zemrave, shkëlqimin e shpirtrave dhe kthjelltësinë e ndërgjegjes. Zoti i Plotfuqishëm na ka bekuar me një muaj kaq të madh, pra ka ardhur koha e agjërimit të këtij muaji, i cili sjellë vetëm ndërgjegjësim, devotshmëri, dhe sakrificë, e këto burojnë nga thellësia dhe pastërtia e besimit në Zotin Një dhe të Vetëm.
Zoti i Madhëruar thotë: “Muaji Ramazan, është ai (muaj) në të cilin u zbrit Kurani…”
Muaj që Zoti e ka veçuar me shumë virtyte dhe mirësi të mëdha, me cilësi të larta morale, e të cilat e shtyjnë besimtarin të bëjë vepra të mira dhe të largohet nga veprat e liga. Është muaj në të cilin zbret mëshira e pafund e Zotit të Madhërishëm, falen mëkatet dhe veprat e këqija, hapen dyert e Xhenetit dhe mbyllen dyer e Xhehenemit. Si mund të mos i gëzohemi këtij muaji, kur brenda tij e kemi Natën e Kadrit, në të cilën natë Zoti zbriti Kuranin.
Zoti xh.sh. thotë: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në Natën e Kadrit.”
Me rastin e fillimit të këtij muaji të bekuar, këshilloj vëllezërit dhe motrat e mi kudo që janë që të kenë frikë nga Zoti i Madhëruar, të garojnë në vepra të mira, të urdhërojnë njëri-tjetrin për të bërë mirë, të jenë të durueshëm, ta ruajnë unitetin e të mos përçahen, të bashkëpunojnë në mirësi, urtësi dhe devotshmëri, si dhe të ruhen nga të gjitha ato mëkate që Zoti i ka ndaluar. Kjo ngase Ramazani është një muaj madhështor, muaj në të cilin shumëfishohen veprat e mira dhe falen mëkatet për ata që agjërojnë dhe falin namazin me besim dhe devotshmëri, duke kërkuar kështu shpërblimin për punët e tyre.
Vëllezër dhe motra!
Agjërimi ka shumë dobi dhe urtësi. Duke e bërë agjërimin në formën më të mirë, besimtari e fisnikëron moralin, durimin, bujarinë dhe përpjekjet në atë që e kënaq Zotin.
Muaji Ramazan është një mundësi që vjen vetëm një herë në vit, andaj ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe të përfitojmë prej tij, sikur të jetë Ramazani i fundit që do ta përjetojmë.
Urime, shëndet dhe mbarësi për të gjithë besimtarët kudo që janë!
Agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti!
Me fat muaji i bekuar Ramazan!
Myftiu Naim ef. Tërnava
Prishtinë, më 28 shkurt 2025