Tërmeti në Mianmar, mbi 1600 të vdekur dhe 3400 janë lënduar

Tërmeti në Mianmar, mbi 1600 të vdekur dhe 3400 janë lënduar

Vende të ndryshme po dërgojnë ndihma humanitare në Mianmar pas tërmetit që la më shumë se 1600 të vdekur dhe shkatërroi qytetet.

OKB paralajmëron se mungesa e madhe e furnizimeve mjekësore po pengon reagimin ndaj tërmetit vdekjeprurës që goditi Mianmarin të premten, ndërsa kërkimi për të mbijetuarit vazhdon.

Fqinjët e Mianmarit dërguan anije luftarake dhe aeroplanë të ngarkuar me materiale ndihme dhe personel shpëtimi të dielën, pas një tërmetit masiv që shkatërroi pjesën më të madhe të kombit të varfër të Azisë Juglindore.

Të paktën 1,600 njerëz kanë vdekur dhe 3,400 janë lënduar nga tërmeti i së premtes me magnitudë 7.7, një nga më të fortët në Mianmar në një shekull, sipas qeverisë së saj ushtarake.

“Të gjithë spitalet ushtarake dhe civile, si dhe punonjësit e kujdesit shëndetësor, duhet të punojnë së bashku në një mënyrë të koordinuar dhe efikase për të siguruar përgjigje efektive mjekësore,” tha shefi i juntës, gjenerali i lartë Min Aung Hlaing, sipas mediave shtetërore.

Modelimi parashikues i Shërbimit Gjeologjik amerikan vlerësoi se numri i vdekjeve në Mianmar mund të shkojë në 10,000 kurse humbjet mund të tejkalojnë prodhimin vjetor ekonomik të vendit.

Tërmeti tronditi edhe pjesë të Tajlandës fqinje, duke rrëzuar një rrokaqiell në ndërtim dhe duke vrarë 17 njerëz në të gjithë kryeqytetin, sipas autoriteteve tajlandeze. Të paktën 78 persona mbetën të bllokuar nën rrënojat e ndërtesës së shembur.

Fatkeqësia natyrore më vdekjeprurëse që ka goditur Mianmarin në vite ka dëmtuar infrastrukturën kritike, duke përfshirë një aeroport, autostrada dhe ura, duke ngadalësuar operacionet humanitare, sipas Kombeve të Bashkuara.

Tërmeti goditi vendin tashmë në kaos me një luftë civile që është përshkallëzuar që nga grushteti ushtarak i vitit 2021, i cili rrëzoi qeverinë e zgjedhur të nobelistes Aung San Suu Kyi dhe shkaktoi një kryengritje të armatosur mbarëkombëtare. /rtk/

Share This