Tensione në Kuvend, opozita bllokon foltoren
Propozimi i Partisë Socialiste i një projektligji me procedurë të përshpejtuar për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale shkaktoi tensione në seancën e sotme plenare.
Por për Partinë Demokratike, projektligji është njoftuar pa u depozituar. Kjo solli debate mes palëve politike, pasi opozita me tone të larta akuzoi mazhorancën se nuk e ka draftuar nismën, por e fut me procedurë të përshpejtuar me sms.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka disa herë radhazi u ngrit për të zënë foltoren dhe u drejtua nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali me tone të larta.
Por edhe të tjerë deputetë të PD-së u ngritën për të bllokuar Foltoren. Efektivë të Gardës ndërhynë për të qetësuar tensionet. /atsh/