Temperatura të larta edhe sot, rekomandohet kujdes i shtuar
Në vendion tonë sot do të jetë moti me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vlerat e temperaturave minimale do të lëvizin ndërmjet 15-19 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 31-36 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-4m/s.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë ka dalë me rekomandime për qytetarët se si të ruhen ndaj temperaturave të larta.
MSH-ja bëri thirrje që të konsumohet sa më shumë ujë gjatë gjithë ditës, të shmanget dielli në periudhën 10:00-16:00 dhe të përdorët krem mbrojtës. Ministria ftoi edhe për pauza të rregullta nëse punoni jashtë.
“Njihni shenjat e sëmundjes nga nxehtësia: Marramendje, dhimbje koke, dobësi. Telefoni për ndihmë: Nëse dikush tregon shenja të goditjes nga nxehtësi. Ndihma e parë: Vendosni personin në hije, ofroni ujë dhe freskim të trupit”, thuhet në rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë.
Ka reaguar edhe Instituti Hidrometeorologjik. IHMK ka paralajmëruar se temperaturat e larta në ditët në vijim mund të krijojë kushte për “alarm të kuq”.
Sipas një njoftimi alarmi i kuq nënkupton se nëse temperatura e ajrit tejkalon temperaturën e trupit, mund të shkaktojë probleme serioze në organizëm.
Ata kanë bërë thirrje të kihet kujdes në ushqim dhe nga rrezet e diellit nga intervali kohor 10:00-17:00.
“Kujdes nga rrezet direkete të diellit, sidomos nga intervali kohorë 10-17h, sepse indeksi UV ka shënuar vlera të larta. Përdorni sa më shumë ujë të freskët, jo lëngje të gazuara, kapelë, syze për tu mbrojtur nga dielli, rroba me ngjyra të lehta nga pambuku ose liri. Të mos konsumojmë ushqime të fërguara, me shumë yndyrë dhe ushqime të shpejta, por sa më shumë ujë të thjeshtë , pemë dhe perime. Jemi në dritën e verdhë sa i përket këtyre vlerave të larta të temperaturave, mirëpo në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijoj kushte edhe për alarm të kuq, sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut (37C), atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin tonë”, thuhet në njoftim.