Të paktën 140 vetë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së anijes iraniane pranë Sri Lankës

Të paktën 140 vetë rezultojnë të zhdukur pas fundosjes së anijes iraniane pranë Sri Lankës

Flota detare e Sri Lankës ka konfirmuar se ka shpëtuar 32 persona pas marrjes së një sinjali emergjence nga anija e marinës iraniane “IRIS Dena” herët në mëngjes.

Zëdhënësi i flotës së Sri Lankës, Budhika Sampath, tha se operacioni i shpëtimit u krye edhe pse incidenti ndodhi jashtë ujërave territoriale, por brenda zonës së tyre të kërkim-shpëtimit, duke i detyruar të reagojnë sipas detyrimeve ndërkombëtare.

Ai deklaroi se ekipet gjetën persona duke notuar në det dhe më pas i shpëtuan, ndërsa pranë zonës u vërejtën njolla nafte dhe gomone shpëtimi që lundronin në ujë.

Sipas dokumentacionit të anijes, në bord besohet se ndodheshin rreth 180 persona, por numri i saktë i të zhdukurve mbetet i paqartë. Autoritetet ushtarake të Sri Lankës thonë se deri tani nuk mund të konfirmojnë shkakun e fundosjes dhe kanë hedhur poshtë raportimet se incidenti mund të jetë shkaktuar nga një sulm me nëndetëse.

Më herët, sekretari i Ministrisë së Mbrojtjes së vendit, Marshal Sampath Thuiyakontha, deklaroi se rreth 140 persona mendohet të jenë të zhdukur. Operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat dhe shkakun e ngjarjes së rëndë.

Share This