Të paktën 12 të vdekur pas shirave të dendur dhe rrëshqitjeve të dheut
Të paktën 12 persona u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën pas rrëshqitjeve të dheut – të shkaktuara nga përmbytjet në provincën qendrore Hunan të Kinës, njoftoi sot transmetuesi shtetëror CCTB.
Sipas raportit, një ndërtesë njëkatëshe, e raportuar si një banesë e dhënë me qira për turistët, në fshatin Yuelin u përfshi nga rrëshqitjet e dheut – si rezultat i reshjeve të dendura të shkaktuara nga tajfuni Gaemi.
Gaemi kishte shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe vdekje në Filipine dhe Tajvan.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Hsinhua”, një person besohet të jetë zhdukur nën baltë.
Rreth 240 punonjës të ekipit të emergjencës u dërguan në vendngjarje dhe përpjekjet e shpëtimit janë duke vazhduar.
Moti i keq ka bërë kërdinë edhe në pjesë të tjera të vendit.
Në provincën Jilin në verilindje, u evakuuan 27 000 njerëz. Dy persona të tjerë janë shpallur të zhdukur në Fujian dhe rreth 300 000 banorë u dërguan në një strehim të sigurt.
Kina goditet rregullisht nga shirat e dendur dhe përmbytjet, veçanërisht gjatë muajve të verës. /atsh/