
“Të mërkurën kryhet kjo punë”
Në një deklarim që ngre shumë pikëpyetje mbi zhvillimet politike të ditëve në vijim, analisti Astrit Gashi ka zbuluar informacione të reja rreth mundësisë për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë, duke lënë të kuptohet se një marrëveshje për konstituimin e institucioneve është shumë afër.
Sipas Gashit, qëndrimi i heshtur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi fituesit të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje, nuk është ndihmues dhe krijon pasiguri në skenën politike:
“Sot, fituesit të zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me faktin që po rrinë të heshtur, të paktën nuk po ia ndihmojnë. E kjo tash a është mirë a keq, le ta gjykojë secili. Unë mendoj që kjo është pak më keq për Albin Kurtin sesa që ai kishte dashtë me qenë.”
Gashi përmendi mundësinë që amerikanët të jenë duke punuar në prapaskenë me aktorë të tjerë politikë:
“Ndoshta amerikanët janë duke punuar me dikë tjetër, por nuk janë duke hyrë direkt.”
Më tej, ai zbuloi se disponon informacione konfidenciale, të cilat edhe pse nuk janë tërësisht të verifikuara, flasin për një zhvillim të rëndësishëm në fillim të javës së ardhshme:
“Kam disa informata që nuk e di sa janë të besueshme, por që javën e ardhshme mundet me pasë ndonjë takim te Presidentja. Mund të ketë tentim nga njëra prej shteteve mike që ka hequr dorë nga ideja për një qeveri normale, dhe do të kërkojë formimin e një qeverie të përkohshme, që do të konstituonte Kuvendin, do të miratonte marrëveshjet me Bashkimin Evropian, dhe do të caktonte një datë për zgjedhje”, shkruan ballkani.info.
Por ajo që i jep më shumë peshë këtyre zërave është pohimi që, sipas Gashit, vjen nga burime të afërta me partinë NISMA:
“Ka zyrtarë të NISMA-s që po u thonë miqve të mi gazetarë se të mërkurën kryhet kjo punë – zgjedhet Kryetari i Kuvendit.”