Del Bosque: Fabregas është gati për Interin, s’është dridhur kurrë përballë sfidave

Del Bosque: Fabregas është gati për Interin, s’është dridhur kurrë përballë sfidave

Ish-trajneri legjendar i Real Madridit dhe Spanjës, Vicente del Bosque, është shprehur i bindur se trajneri aktual i Como-s, Cesc Fabregas, është i gatshëm të marrë drejtimin e Interit.

Pas largimit të Simone Inzaghit, drejtuesit e Interit kanë nisur kontaktet me ish-mesfushorin spanjoll për ta emëruar në krye të skuadrës.

Nga ana tjetër, Como ka filluar tashmë negociatat me Daniele De Rossi si pasues i mundshëm i Fabregas.

“Ai gjithmonë ka menduar për ekipin si një tërësi. Luante në një pozicion me shumë liri, por e interpretonte si përgjegjësi, ndjente se duhej t’u vinte në ndihmë shokëve të skuadrës, t’i përmirësonte dhe t’ua lehtësonte lojën. Ishte shumë i disiplinuar dhe i pëlqente të bënte të tjerët të lëviznin rreth tij”, ka thënë Del Bosque.

Sa i përket aftësive të Fabregas për të drejtuar Interin, Del Bosque nuk ka dyshime.

“Pa asnjë mëdyshje. Cesc nuk është trembur kurrë në jetë. Qysh herët iu desh të përballej me sfida të mëdha. Te Arsenal kishte përpara një kampion bote si Patrick Vieira, ndërsa në përfaqësuese luante me një brez fenomenësh. Nuk është dridhur asnjëherë”, ka theksuar Del Bosque.

Share This