“Ta heqim çdo dilemë që e kemi me njëri-tjetrin, na duhet paqe para betejës”, Konjufca thirrje bashkëpartiakëve
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili është edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie, i ka bërë thirrje bashkëpartiakëve të tij që të heqin “çdo dilemë me njëri-tjetrin” para se të hyjnë në garën zgjedhore, të cilën ai e quajti “betejë” në fillim.
Ai tha se kjo mbledhje e Këshillit mund të jetë e fundit “para se të shkojmë në betejë, sepse zgjedhjet janë njëfarë beteje”.
“Disa gjëra të rëndësishme kur njeriu niset në betejë. Është një gjendje e caktuar shpirtërore. Kur jemi në përgjegjësitë tona, mund të na ndodhin probleme e defekte, nuk po them që s’kemi bërë gabime ndonjëherë, mund të bësh lëshime. Relacionet pastaj ndërnjerëzore e marrin njëfarë forme jo bash të këndshme kur ka aso veprime. Mirëpo, krejt këto marrin fund kur jemi duke u përgatitur për të shkuar në betejë. Atëherë duhet të transformojmë gjendjen shpirtërore dhe të hyjmë në një modus tjetër të funksionimit”.
Konjufca tha se ka nisur këtë proces të “transformimit” vetë.
“E para që ne t’i heqim çdo dilemë të mundshme që e kemi me njëri-tjetrin. Neve na duhet një paqe dhe një dashuri shumë e sigurt me njëri-tjetrin sepse jemi po këta që e kemi pru Lëvizjen Vetëvendosje në subjektin më të madh në Kosovë”.
Konjufca tha se me qeverisjen e Vetëvendosjes dhe me veprimet e saj para se të vijë në pushtet ka hyrë në historinë e vendit dhe se kanë “lënë gjurmë që do të jetojnë vite prapa kur nuk do të jemi edhe vetë|.
“Ne përmes veprimeve tona, Lëvizja Vetëvendosje tashmë është bërë pjesë e historisë. E ka formësuar Kosovën me veprimet e veta, prej vitit 2005 gjatë rezistencës tonë gjatë kundërshtimit të proceseve negative, kryesisht negociatat me Serbinë, luftimin shumë të fuqishëm të korrupsionit e pastaj me arrit me bë Qeverinë dhe me marrë vendime për Kosovën, pra kjo i bie që je pjesë e historisë”.
Konjufca i falënderoi prej “zemrës, sinqerisht” aktivistët e Vetëvendosjes.
“Baza e Lëvizjes Vetëvendosje është aktivisti. Ai e mban Lëvizjen”.